Komisioni për Integrim Evropian miratoi Projektligjin për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg, raporton InLajmi.
Derisa projektligji në fjalë shqyrtohej në komision, anëtarët e partive opozitare nuk janë pajtuar me përmbajtjen ndërsa e quajnë anti ligjor e antikushtetues.
Deputetja e Partisë Demokratike e Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, shprehu kundërshtimin e saj lidhur me projektligjin, ndërsa theksoi se është kundër direktiva të Bashkimit Evropian dhe kundër marrëveshjes së Stabilizim Asocimit.
“Ndonëse projektligji në fjalë i cili merret me përcaktimin e çmimit tavan për produktet themelore nuk rregullohet me direktivat e Bashkimit Evropian. Ne kemi një marrëveshje të kontraktuar ndërmjet dy palëve, i cila parasheh obligimet të Kosovës dhe Bashkimit Evropian në raport me ndryshimet ligjore që ne i bëjmë, për më tepër ne sot e fillojmë takimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, ku do të flasin për progresin që e kanë bërë institucionet tona dhe do të koordinohemi me politikat dhe zbatueshmërinë e planit kombëtar të MSA-së”,
tha Deliu-Kodra, duke shtuar se projektligji në fjalë është edhe antikushtetues.
“Jo vetëm kjo që bie ndesh me MSA-në, ne si PDK konsiderojmë se në radhë të parë projektligji është kundër kushtetues sepse iu jep të drejtë bizneseve të mëdha, ndërkohë i dekurajon bizneset e vogla e të cilat edhe ashtu janë shumë afër shuarjes. Prandaj nuk do të marrim pjesë në votim, sepse ligji është anti-Kushtetues”, theksoi deputetja Deliu-Kodra.
Nuk është pajtuar me përmbajtjen e Projektligjit në fjalë edhe deputetja Time Kadrijaj nga AAK-ja, ee cila poashtu theksoi se është antikushtetues.

“Mendoj se të gjitha partitë i kanë dhënë qëndrimet në një seancë parlamentare, dhe i kemi arsyetuar se përse nuk duhet votuar, megjithatë kjo shumicë i ka votat dhe munden me kaluar, por megjithatë edhe unë mendoj se është anti-Kushtetues, dhe nuk mendoj se votimi i këtij ligji i bën nder këtij Kuvendi, e as Komisionit Parlamentar”, tha Kadriaj.
Projektligjinnë fjalë e arsyetoi deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Hyseni i cili tha se është e nevojshme ndërhyrjen e Qeverisë në rastet kur ka destabilizim me çmime në treg.
“Në rastet kur është e domosdoshme, në rastet kur preket interesi qytetar nga operatorët e pandërgjegjshëm të cilët i kemi parë në raste të caktuara edhe kanë vepruar, siç ishte rasti me vajin e lulediellit dhe në raste tjera, dhe të tilla raste kur paraqiten spekulime të çmimeve në treg e që e dëmtojnë xhepin e qytetarëve, unë nuk besoj se kemi arsye si ligjvënës me i thënë Qeverisë jo nuk keni mundësi të ndërmerrni veprime konkrete në mbrojtje të qytetarëve”, tha Hyseni. /InLajmi/