Bankat komerciale në Kosovë i përcaktojnë individualisht normat e interesit, bazuar në politikat e tyre afariste.
Nga Shoqata e Bankave të Kosovës, theksojnë se ka një rritje të lehtë të normave të interesit për kredi të korporatave jo financiare, përderisa ka një ulje për ekonomi familjare.
Norma efektive për kredi të lëshuara për korporatat jo financiare në fund të muajit gusht 2022 ishte 6.05% për dallim prej fundit të vitit 2021 kur ishte 5.72%, ndërsa për ekonomitë familjare në muajin gusht 2022 ishin 5.89% për dallim që ishte 5. 95%, thuhet në përgjigjen elektronike nga Shoqata e Bankave të Kosovës.
Për ekspertin e ekonomisë, Safet Gërxhaliu, rritja ka ardhur si pasojë e rritjes së normave të interesit nga Banka Evropiane Qendrore. Ai thotë se 40% e biznesmenëve në Kosovë kanë nevojë për mjete financiare.
“Nëse vazhdohet kjo ngufatje dhe ky trend, kam frikë se shqetësimi më i madh do të jetë rritja e borxheve të këqija, sepse me këtë formë të zhvillimit dhe me këtë mungesë të dialogut publiko-privat dhe me këtë mungesë të mbështetjes së sektorit privat, do të jetë shumë e vështirë që sektori privat të përballojë kthimin e borxheve kredive, e ku shumica e bizneseve është në kredi bankare”, shprehet Gërxhaliu.
Të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës tregojnë se norma mesatare e interesit në kredi të reja për periudhën e gushtit ishte, 5.99% . Në Kosovë veprojnë 11 banka komerciale dhe vlera e kredive për muajin korrik, ka arritur në 4.1 miliardë euro, thotë për Radio Kosovën, Kushtrim Ahmeti, zëdhënësi i Bankës Qendrore të Kosovës.