Organizatat e bizneseve në konferencë të përbashkët për media paralajmëruan protestën për nesër kundër vendimit të Zyrës të Rregullatorit të Energjisë për tregun e lirë të energjisë, që hyri në fuqi më 1 qershor me kërkesën themelore që vendim të shtyhet për një vit,
Protesta e nesërme do të mbahet nga ora 11.00 deri në 12 në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosoëvs Lulzim Rafuna kërkoi që Qeveria të reflektojë se nuk është vullnet i bizneseve që të protestojnë, por po detyrohen të shprehin pakënaqësi në këtë formë.
“Kërkesë e bizneseve është që vendimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji t’u jepet një vit që të përgatiten për tregun e lirë të energjisë. Ka shumë biznese që nuk janë të njoftuar për këtë proces. E kam thënë edhe më herët po bëhet nxjerrje e dhunshme të 1300 bizneseve në tregun e lirë të energjisë”, tha Rafuna.
Ndërsa, kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, tha se në protestën e nesërme bizneset do të shprehin pakënaqësinë e tyre për vendimin për tregun e lirë të energjisë, pa u bërë përgatitjet e nevojshme për këtë hap, raporton Ekonomia Online.
“1300 biznese janë në hall. Bizneset sot janë duke punuar dhe prodhuar, por nesër presim një protestë shumë të madhe me pjesëmarrje masive të pronarëve dhe punëtorëve. Ftoj të gjitha bizneset të solidarizohen me këto 1300 biznese. Kërkesa jonë është që vendimi i ZRRE-së të shtyhet për një vit”, tha Shahini.
Edhe drejtues të organizatave të tjera të biznesit në këtë konferencë për media paraqitën shqetësimet dhe kërkesat e njëjta. Duke iu referuar takimit me drejtues të KEK-ut vunë në dukje se KEK-u nga 1300 biznese kishte nënshkruar kontrata vetëm më tri biznese, ndërsa bizneset e tjera duke i ditur pasojat që i presin, nuk kanë nënshkruar kontrata me KEK-un.