Për Serbinë është e papranueshme anëtarësimi i Kosovës në OKB. Kështu ka deklaruar presidenti Aleksandar Vuçiq në një intervistë për televizionin privat “Pink”, nga Nju Jorku ku ndodhet për Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Vuçiq ka bërë me dije se ka refuzuar një dokument të paraqitur nga i dërguari i posaçëm i BE-së, Miroslav Lajçak, që propozonte një zgjidhje të çështjes së Kosovës.
Në dokumentin në fjalë, sipas mediave ballkanase, propozohej mes të tjerash një pranim i shpejtë i Prishtinës në OKB dhe njohja e saj nga Serbia brenda një periudhe 10-vjeçare.
Gjatë intervistës, Vuçiq ka nënvizuar se pozicioni i Serbisë është i vështirë, por ka shtuar se në asnjë rrethanë vendi i tij nuk do të dorëzohet.
“Duhet të kuptoni se janë 5 vende kundër nesh sa i takon Kosovës. Nuk mund të arrijmë shumë këtu, por do të luftojmë”, ka thënë Vuçiq.
Ai është shprehur se në këtë situatë nevojitet shpirt luftarak dhe që Beogradi të jetë i qartë sa i takon pozicionit të tij, se nuk do të pranojë asnjë zgjidhje të imponuar.

“Në këto kushte, do të jetë e vështirë t’i mbijetojmë shtatorit dhe tetorit”, ka shtuar Vuçiq në intervistën e dhënë.