Një raport i Kombeve të Bashkuara, i cili dënon ashpër trajtimin e Kinës ndaj myslimanëve ujgurë të mbajtur në kampet e internimit, mund të çojë në një hetim penal në Hagë, ka thënë avokati britanik që ndjek çështjen, Rodney Dixon.
Raporti mund të çojë në hetimin e parë të Gjykatës Penale Ndërkombëtare për abuzimet e supozuara.
Dixon tha se pikëpamja e OKB-së se persekutimi i ujgurëve nga Kina përbënte krime kundër njerëzimit, ishte një armë e fuqishme në një ndjekje të mundshme.
“Gjetjet e OKB-së janë jetike për hapjen e një hetimi për krimet ndërkombëtare mbi të cilat gjykata mund të ushtrojë juridiksion”, tha ai.
Raporti prej 46 faqesh gjeti prova të besueshme se të burgosurit ishin lidhur me rripa në karrige torture, rrahur me shkopinj elektrikë, dhënë me forcë drogë, përdhunuar dhe operuar në kampe në rajonin veriperëndimor të Xinjiang, raporton The Times.
Për shumë vite, aktivistët kanë ngritur alarmin për abuzimin në të ashtuquajturën “goditje anti-terroriste”, në të cilën janë arrestuar më shumë se një milion ujgurë, transmeton Klankosova.tv.
Raporti thoshte se kishte prova të qarta të modeleve të torturës ose formave të tjera të trajtimit ose dënimit mizor, çnjerëzor ose poshtërues në kampe.