Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, në një konferencë për media ka folur në lidhje me marrëveshjen që është nënshkruar me MCC-në, raporton InLajmi.
Rizvanolli tha se kjo marrëveshje do të fillojë të zbatohet zyrtarisht 18 deri në 24 muaj, ku me fillimin e zbatimit të projektit, do të nisë prokurimi i baterive.
“Zbatimi i projektit zyrtarisht fillon 18 deri në 24 muaj pas ratifikimit, ratifikimi është bërë në kohë rekorde, më shumë se një muaj më herët sesa është planifikuar. Puna nuk do të fillojë menjëherë, gjatë 18 muajve në vijim do të krijohen parakushte, do të bëhen analiza shtesë, lokacioni për bateritë veçse është caktuar, do të vazhdojë puna në parapërgatitjet për zhvillimin e programeve të trajnimeve, do të selektohet institucioni partner. Me fillimin e zbatimit të projektit, mund të fillojë prokurimi i baterive, po flasim për 2-3 vjet deri në kohën kur t’i kemi bateritë e instaluara”, ka thënë ajo.
Gjithashtu ajo tha se këto bateri do të shërbejnë për rezerva të energjisë që do të përdoren për stabilizimin e furnizimit dhe konsumit.
“Bateritë shërbejnë si rezerva të energjisë që do të përdoren për stabilizimin e frekuencës së luhatshme të rrymës si pasojë e disbalancit të furnizimit dhe konsumit. Këtë shërbim aktualisht Kosova e kontrakton në tregun e rezervave të Shqipërisë, por shpesh ndodhë të kontraktojmë edhe tregun evropian me çmime akoma më të larta kur nevoja tejkalon ofertën”, ka thënë ajo. /InLajmi/