Deputetja ukrainase Lesia Vasylenko thotë se sulmi me raketa në një qendër tregtare në Kremenchuk është “një akt tjetër terrorizmi që ka kryer Rusia”, transmeton InLajmi.
Ajo tha se nuk kishte “asnjë objekt ushtarak” pranë zonës së shënjestruar nga granatimet, duke shtuar se ishte një “sulm i hapur ndaj popullatës civile”.
Vasylenko thotë se një linjë ndihme është ngritur në stacionin e policisë lokale për të ndihmuar njerëzit të identifikojnë ata që mund të kenë qenë në qendrën tregtare në kohën e shpërthimit.
Të paktën 10 persona kanë humbur jetën dhe 40 të tjerë janë plagosur.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky thotë se “mbi 1.000 civilë” ishin në qendër tregtare kur raketat goditën qytetin, shkruan BBC.
Vasylenko thotë se zyrtarët ukrainas do të kenë një pamje më të qartë të numrit të viktimave deri nesër në mëngjes. /InLajmi/