Protesta e sotme e veteranëve të UÇK-së ka qenë temë debati ndërmjet deputetëve të pozitës dhe opozitës. Për këtë çështje kanë diskutuar Enver Dugolli nga LVV, Hajdar Beqa nga PDK dhe Pal Lekaj nga AAK.
Deputeti i VV-së, Enver Dugolli ka thënë se protestat e veteranëve dhe ato pamje rreth parlamentit si sot nuk i dëshiron askush.
“Ato pamje si dëshirojmë as ne si pozitë po nuk do të duhej t’i dëshironte asnjë parti politike dhe asnjë qytetar i Kosovës, për shkak se veteranët janë një kategori e çmuar e shoqërisë dhe historisë sonë”, ka thënë ai.
Dugolli tutje ka theksuar se Qeveria i dinë hallet dhe nevojat e kësaj kategorie dhe asnjëherë nuk është deklaruar e aq më pak ka vepruar në ndonjë mënyrë që të cenojë interesat e tyre.
“Kemi thënë që të kalojë ProjektLigji për pagën minimale dhe të rregullohet kjo çështje dhe më pas të vazhdojmë me një dinamikë shumë më të madhe si Qeveria ashtu edhe parlamenti që t’i rishikojmë ligjet që i trajtojnë veteranët dhe kategoritë e dala nga lufta, sepse jemi të vetëdijshëm se ato ligje kur janë bërë kanë pasur shumë mangësi”, ka theksuar Dugolli.
Ndërkaq, Hajdar Beqa ka thënë se kur bëhet fjalë për këtë çështje nuk ka të bëjë problemi me ligjin, por me mungesën e vullnetit të Qeverisë.
“Vetëm pas një presioni opozitar kryeministri ka pranuar të takojë veteranët. Për ne, si deputetë sot nuk ka qenë një ditë e zakontë sepse kur kemi ardhur në parlament kemi parë vajzat dhe djemtë ma të mira të vendit që në kohën më të vështirë të vendit kanë qenë nderi i Kosovës dhe ata do të mbesin nderi i vendit dhe shteti nuk duhet t’i lë të painkuadruar”, ka thënë Beqa.
Sipas tij Qeveria është dashur të ketë vullnet dhe të diskutojë me veteranët dhe t’i përfshijë në ligjin për pagën minimale dhe pastaj në koordinim me sponsorizuesit, që janë shoqatat e dala nga lufta, të bëhet një plotësim ndryshim eventual i ligjit dhe të ketë edhe një ligj të mbrojtjes së vlerave të luftës”.
Në anën tjetër, Pal Lekaj nga AAK, ka theksuar se se seanca e sotme e kuvendit ka qenë më e pakuptimta ndonjëherë. “Kjo për shkak se po e mohojmë një vlerë sublime që janë veteranët e UÇK-së. Aty ku mungon dialogu social shfaqen pakënaqësitë. Të mohosh kërkesat e legjitime të veteranëve, të atyre që sakrifikuan, që dhanë gjymtyrë të trupit e që prej tyre ne e gëzojmë lirinë, është e pakuptimtë. Qeveria Kurti që në ditën e parë kur është bërë kërkesa për pagën minimale është dashur që të përfshijë edhe veteranët dhe t’i ftojë në dialog dhe të mos prolongojë kaq gjatë dhe tii detyrojë veteranët që të dalin të protestojnë”, ka thënë Lekaj, shkruan RTK.
Gjatë debatit ka pasur përplasje dhe akuza ndërmjet deputetëve, ku Hajdar Beqa theksoi se nuk ka vullnet për t’u trajtuar veteranët sepse sipas tij Qeveria Kurti po shfaqet si anti-UÇK. Në anën tjetër, deputeti i VV-së, Enver Dugolli ka kërkuar nga opozita që të mos i keqpërdor veteranët dhe ta mos politizojë këtë çështje sepse në këtë mënyrë nuk ndihmohen veteranët.