Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla ka uruar Ditën e Çlirimit të Kosovës, por edhe ka rikujtuar se po në këtë ditë është edhe 17-vjetori i themelimit të Lëvizjes Vetëvendosje, përcjell InLajmi.
Sveçla tha se si liria ashtu dhe Vetëvendosja janë një, sipas tij e para pa të 2-tën nuk ka kuptim.
Ai theksoi kontributin e VV-së për të luftuar për çdo padrejtësi ndaj qytetarëve të Kosovës. Sipas tij Lëvizja Vetëvendosje është shtylla më e forte e Qeverisë si dhe dera e hapur e qytetarit për zgjidhje.
Deputeti tha se vullneti, angazhimi dhe atdhedashuria e aktivistëve do ta mbajnë Lëvizjen lart përherë.
Postimi i plotë i tij:
Lirinë e fituam pas një lufte të pabarabartë e me shumë sakrifica, por si popull historikisht e kemi pasur guximin dhe bindjen se duhet rezistuar deri në vetëvendosje të plotë të popullit tonë.
Liria dhe vetëvendosja janë një, e para pa të dytën nuk ka kuptim. Sot, festojmë 23 vjetorin e Çlirimit të Kosovës dhe 17 vjetorin e themelimit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!.
Liria ka qenë e pashmangshme, ndërsa VETËVENDOSJE!, e domosdoshme.
Me qëllimin për të luftuar ndaj secilës padrejtësi ndaj popullit tonë dhe qytetarëve tanë, Lëvizja u organizua për 17 vite në çdo lagje e qytet, në çdo rrugicë e në çdo familje. Sot, Lëvizja është shtylla e fortë e Qeverisë e dera e hapur e qytetarit për zgjidhje.
Lëvizja do të jetojë sepse ajo nuk është ndalur asnjëherë, edhe kur është përballur me stuhitë më të mëdha që kanë synuar shkatërrimin e saj.
Vullneti, angazhimi dhe atdhedashuria e aktivistëve tanë, do ta mbajë Lëvizjen lartë përherë. /InLajmi/