Për të dalë nga kriza ekonomike që e ka kapluar vendin tonë, disa nga partitë politike, gjegjësisht PDK dhe AAK si dhe njohës të çështjeve të ekonomisë, së fundmi i kanë propozuar Qeverisë së Kosovës që të lejojë tërheqjen e 20% të kursimeve pensionale, shkruan InLajmi.
E krejt kjo për ta zbutur sado pak krizën ekonomike që po mbretëron me shtrenjtimin e energjisë elektrike, produkteve bazë, naftës e të tjera produkte.
Kreu i AAK-së dhe, Ramush Haradinaj si dhe Bekim Haxhiu nga PDK, kanë deklaruar së fundmi se si hap të parë urgjent, e shohin aprovimin e një vendimi që lejon qytetarët të tërheqin një përqindje të caktuar të mjeteve nga trusti pensional.
Njësoj mendon edhe profesori i ekonomisë, Musë Limani, por përveç kësaj ai thotë se Qeveria duhet të mendojë që të bëjë një zgjidhje edhe për ata të cilët nuk punojnë dhe po e përjetojnë edhe më rëndë krizën ekonomike që e ka kapluar vendin.
“Sipas rregulloreve përkatëse të Trustit, kursimet pensionale nuk kanë të drejtë të tërhiqen më herët por në situata të rënda sikurse ishim në fillim të pandemisë por edhe tash kur çmimet në përgjithësi po rriten mendoj se duhet të lejohen që kursimtarët të nxjerrin një shumë të caktuar të mjeteve të tyre nga Trusti, në mënyrë që ta zbusin sado pak situatën në të cilën tani më gjendet Kosova “,theksoi profesor Limani në një prononcim për Gazetën InLajmi.
Mjetet e kursimit të qytetarëve sipas Limanit duhet të shfrytëzohen dhe të japin efektin e zhvillimit ekonomik në vend.
“Ato mjete janë të trustit, të popullatës, duhet të shfrytëzohen, të japin efektin në zhvillimin ekonomik të Kosovës, prandaj unë kam propozuar që këto mjete duhet të kthehen në sistemin bankar të Kosovës dhe të shfrytëzohen për dhënien e kredive. Po e ritheksoj se personalisht mendoj se duhet që tu lejohet qytetarëve të tërheqin një pjesë e mjeteve të trustit, t’i shfrytëzojnë kursimtarët ato të holla që në njëfarë mënyre të zbutet situata në të cilën gjendet popullata e Kosovës “,tha ai.
Profesori i ekonomisë shprehet i shqetësuar se nëse lejohen të tërhiqen një pjesë e kursimeve pensionale për ata që punojnë ,çka do të bëhet me ata që nuk punojnë.
“Unë ua kisha shtruar edhe një pyetje tjetër po çka do të ndodhë me ata që nuk punojnë. Kemi një papunësi aq të madhe, bile mund të them se prijmë lidhur me këtë në rajon. Pastaj grupi social që marrin ndihma sociale. Mendoj që Qeveria duhet të bëjë një pako, një program anti inflatorë dhe të gjejë një formë në mënyrë që të zbusë këtë situatë”, tha më tej Limani për Gazetën InLajmi.
Më tej, Limani pati një porosi për ata që e kritikojnë Qeverinë e Kosovës lidhur me rritjen e çmimeve.
“Ky është mendimi im, por çuditem se si opozita dhe analistët të cilët shumë pak e kuptojnë se çka është ekonomia e tregut nuk kanë të drejtë ta sulmojnë Qeverinë për ngritje të çmimit. Nuk është e vërtetë aspak sepse në ekonominë e tregut veprojnë ligjet ekonomike. Qeveria as nuk mund t’i ngrisë e as t’i ulë çmimet, por Qeveria mund ta zbusë situatën. E kjo mund të ndodhë duke dhënë subvencione, duke e rritur prodhimtarinë për ta përcaktuar sa më parë pagën minimale”,tha ai.
Rritja e çmimeve e ritheksoi ai mund të bëhet në bazë kërkesës në treg.
Ndryshe, nga partia në pushtet, LVV nuk e kanë përkrahur deri më tash idenë për tërheqjen e një pjese të kursimeve pensionale nga qytetarët./InLajmi/