Drilon Ajeti është njëri nga portierët më të talentuar në futbollin kosovar.
Ajeti, 21 vjeçar aktualisht është portier tek skuadra e Ulpianës, ku po zhvillon paraqitje të mira me klubin nga Lipjani në Superligën e Kosovës.
Ai shprehet jashtëzakonisht i lumtur me aventurën e tij tek skuadra e Ulpianës, ku thotë se po përmirësohet çdo ditë e më shumë.
“Për momentin jam i lumtur që jam titullar në portën e Ulpianës, klub që më ka besuar mbrojtjen e portës dhe po mësoj shumë nga stafi teknik, me qëllimin e vetëm, të përmirësohem secilën herë e më shumë dhe t’i ndihmojë skuadrës në arritjen e rezultateve sa më të mira. Tek Llapi më është dhënë mundësia dhe besoj kam treguar cilësi e potencial, falë të cilave përparësi edhe m’u mundësua kalimi tek skuadra aktuale. Prandaj, po punoj fort që të shfrytëzojë maksimalisht besimin dhe mundësinë për të luajtur në Superligë sa më shumë dhe për t’u ekspozuar ndaj skuadrave më të forta në rajon dhe më gjerë”, tha fillimisht Drilon Ajeti.
Vlen të theksohet se para pak viteve, Drilon Ajeti u rikthye nga Londra për të jetuar e vepruar në Kosovë.
Ai thotë se këtë vendim e mori pasi gjithmonë e ka pasur si qëllim të veprojë në vendin e tij, aty ku janë rritur prindërit e tij.
“Doja t’i kushtoja Kosovës një pjesë të karrierës dhe jetës sime. Doja të jetoja dhe të merrja frymë si prindërit e mi. Vetëm në këtë mënyrë ndjeva se mund të ushqeja ndjenjat e forta që kam për vendin tim. Gjithë jetën time, jam identifikuar si shqiptar nga Kosova. Edhe kur mësuesit në shkollë këmbëngulnin që unë jam britanik – sepse unë ka lindur në Londër. Unë thjesht përgjigjesha: “Nëse një person lind në stallë – nuk e bën kalë”. Pak e rëndë, por është ajo çfarë do të thoja”, tha ai duke qeshur.
Në fund, Ajeti potencoi se ëndrra e tij është që të përfaqësojë kombëtaren e Kosovës.
“Përveç kësaj. Më pëlqen këtu. Kosova më jep adrenalinë, sepse përditshmëria dhe futbolli këtu është shumë ‘rock and roll’. Përveç që shumë strikte kulturën e regjimit të trajnimit e mbaj si rezultat i jetës në Britani. Objektivi im është të vesh ngjyrat e vendit tim dhe të përfaqësoj kombëtaren time si një dedikim për prindërit e mi që kanë dhanë gjithë jetën e tyre mua dhe vendin”, përfundoi ai për Gazetën Blic.
Vlen të potencohet se Drilon Ajeti ka qenë i ftuar në kombëtaren e Kosovës U-21 në ndeshjet e fundit.