Një lajm i shkëlqyer për gjyqtarët shqiptar vjen nga selia e qeverisë së futbollit evropian! Komiteti i Gjyqtarëve të UEFA-s ka vendosur që gjyqtari shqiptar. Enea Jorgji, të promovohet në kategorinë e parë!
Kjo nënkupton që Jorgji ka të drejtën të jetë gjyqtarë në ndeshjet e Ligës së Kampionëve deri në ndeshjet eliminatore para grupeve si dhe në ndeshjet e Ligës së Evropës dhe Ligës së Konferencës, duke përfshirë edhe ato në grupe, ndeshjet e ekipeve kombëtareve A gjatë fazave eliminatore.
Gjyqtarët e kategorisë së parë nuk mund të drejtojnë vetëm ndeshje të fazës finale të një kampionatit Evropian apo kampionati Botëror.
Ky është një sukses i vërtetë për gjyqtarët shqiptar dhe Federatën Shqiptare të Futbollit, sepse është hera e parë që një gjyqtar nga Shqipëria merr një vlerësim të tillë nga UEFA.
Kemi të bëjmë me një produkt të punës disavjeçare nga Enea Jorgji dhe i kolegëve të tij që me performancat e tyre bindën Komitetin e Gjyqtarëve të UEFA-s për një vlerësim të tillë, përcjell Telegrafi.
Tashmë Jorgjit i mbetet të punojë akoma më fort në paraqitjet e tij në Evropë dhe të bëj të mundur promovimin brenda 2 viteve në kategorinë më të lartë të gjykimit “Elite”, që është edhe objektivi për të gjithë ata që fillojnë profesionin e bukur të gjyqtarit.