Gazmend Gjyshinca, deputet i Vetëvendosjes, njëherësh anëtar i Komisionit për Politikë të Jashtme, ka thënë se Kosova do të aplikojë për anëtarësim në Këshillin e Evropës në vitin e ardhshëm.
“Planifikojmë që gjatë vitit tjetër të anëtarësohemi, pra e kemi hartuar planin për anëtarësim. Në 2022-tën do të aplikojmë për anëtarësim në Këshillin e Evropës”, ka thënë Gjyshinca.
Ai tha se e kanë prioritet anëtarësimin në organizata ndërkombëtare dhe sigurimin e njohjeve nga vendet që nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës.
Gjyshinca po ashtu tha se gjatë vitit të ardhshëm pritet të ketë lëvizje për njohjen e Kosovës nga 3 prej 5 shteteve të Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur Kosovën.
“Njohjet e reja vijnë si prioritet i jashtëzakonshëm. Po punojmë ngushtë me shtetet mos-njohëse, pritet që në vitin që po hyjmë të kemi lëvizje prej 3 nga 5 shtetet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën”, ka thënë ai.
Sipas Gjyshincës, Kosova pas një kohe të gjatë ka një politikë të jashtme të unifikuar.
“Blerja e ambasadave në vende të caktuar është mesazh i qartë se jemi atje për të qëndruar, se politika e jashtme është prioritet për ne”, ka shtuar ai në Klan Kosova.
Ai po ashtu tha se kanë bërë reformim të brendshëm të Ministrisë së Jashtme dhe të Diasporës dhe sipas tij ky reformim i brendshëm po jep efektet e para.
