Pasi arritën fitoren e parë historike në kualifikime për Kampionat Botëror, sot “Dardanët” do të tentojnë ta arrijnë edhe të 2-tën brenda 3 ditëve. Por, përballë vetes Kosova do ta ketë një kundërshtar edhe më të vështirë.
Përveç 2 ekipeve, stadiumi “Fadil Vokrri” do të mirëpres edhe tifozët “Dardanët” që rikthehen për ta përkrahur kombëtaren nga tribunat pas 2 viteve, për shkak të situatës së krijuar me pandeminë COVID-19.
I kontaktuar nga Gazeta Express, kryetari i tifogrupit “Dardanët”, Lulzim Berisha tha se janë 400 bileta për tifozët, të gjithë në pjesën lindore.
“400 bileta janë në lindje dhe janë të gjithë dardanë”, u shpreh kreu i Dardanëve.
Kujtojmë se në stadium do të lejohen rreth 1.350 persona gjithsej, prej tyre 400 do të jenë tifozë brenda stadiumit.
Hera e fundit kur Kosova luajti një ndeshje në stadiumin “Fadil Vokrri” në praninë e tifozëve ishte ajo ndaj Anglisë më 17 nëntor të vitit 2019.