Lëvizja Vetëvendosje ka lënë të nënkuptohet se gjatë takimit të Kryeministrit Kurti me Presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq, i cili pritet të mbahet këtë muaj, mund të kërkohet hapja e arkivit dhe informacione të tjera në lidhje më zbardhjen e fatit të të pagjeturve, përcjell InLajmi.
Partia e Kryeministrit Kurti, përmes një statusi të publikuar në faqen e tyre zyrtare në Facebook, është shprehur se Qeveria do të vazhdojë të kërkojë hapjen e arkivave, pasiqë vetëm një hap i tillë mund të ju sjell qetësi familjarëve të të zhdukurve.
Postimi i plotë i tyre:
1639 është numër i madh, shumë më i madh kur bëhet fjalë për njerëz, persona, të dashur, familjarë, që vazhdojnë të jenë të zhdukur, ende të pagjetur. Serbia ka arkiv sepse krimet janë kryer nga shteti serb, andaj edhe do të duhej t’i hapë ato dhe ta ndajë informacionin e nevojshëm për zbardhjen e fatit të të pagjeturve. Kjo do t’iu jepte qetësi familjarëve dhe gjithë shoqërisë që tash e më shumë se dy dekada pret të dijë për fatin e tyre. Qeveria jonë do të vazhdojë ta kërkojë hapjen e arkivit dhe do ta shtyjë këtë çështje në secilën qendër të rëndësishme evropiane dhe tej oqeanike./InLajmi/