Komuna e Ferizaj ka shkruar telegram ngushëllimi për vdekjen e 4 personave në mënyr trafike në fshatin Koshare, në mes të rrugës magjistrale Ferizaj – Shtime, përcjell InLajmi.
Në këtë telegram shkruhet se kryetari i Komunës së Ferizaj, Agim Aliu i ka ngushëlluar familjarët e viktimave që humbën jetën në këtë aksident rrugor.
Kujtojmë se në këtë aksident kanë qenë të përfshira 2 vetura, ku kanë mbetur të vdekur 4 persona dhe një është lënduar dhe dërguar për tretman mjekësor në QKUK – Prishtinë.
Telegram i plotë i Komunës së Ferizaj:
TELEGRAM NGUSHËLLIMI
Me dhembje të madhe, u njoftuam për aksidentin tragjik, pasditen e sotme në rrugën magjistrale Ferizaj-Shtime, përkatësisht në fshatin Koshare, ku humbën jetën tragjikisht 4 qytetarë dhe një tjetër u lëndua rëndë.
Me këtë rast, përmes telegramit, Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ngushëllon familjarët e viktimave që humbën jetën në aksidentin rrugor të kësaj pasditeje dhe njëkohësisht uron shërim të shpejtë për të lënduarin.
“U trondita kur mësova lajmin se në rrugën magjistrale Ferizaj-Shtime, saktësisht në fshatin Koshare, sot, ndodhi një aksident me përmasa tragjike, e ku humbën jetën 4 qytetarë dhe një u lëndua rëndë. Të pikëlluar jemi sot të gjithë, nga ky aksident tragjik. Jemi me familjarët e viktimave në këto orë të rënda për to. Presim që sa më parë të zbardhen shkaqet që çuan në aksident dhe apelojmë për shtim të kujdesit në trafik. Njëkohësisht i urojmë shërim të shpejtë të lënduarit nga ky aksident. Ngushëllime të sinqerta familjarëve, miqve e të njohurve të viktimave që humbën jetën sot tragjikisht në këtë aksident rrugor” përfundon telegrami i ngushëllimit. /InLajmi/