Kompania më e madhe e tekonologjisë Apple ka bërë një ndryshim softueri për AirTags, pas ngritjes së shqetësimeve se ato mund të përdoren për të ndjekur njerëzit fshehurazi, transmeton InLajmi.
AirTags u lansuan në prill dhe u promovuan si një mënyrë që njerëzit të gjurmojnë gjërat e tyre me vlerë. Megjithatë, kritikët paralajmëruan se gjurmuesi i vogël mund të përdorej lehtësisht për të monitoruar edhe vendndodhjen e personave të tjerë në kohë reale. Ata thanë se kishin përdorur AirTags për të ndjekur me sukses miq ose familjarë të tyre.
Agjencia e lajmeve BBC, shkruan se në prezantimin e produktit nga Apple është thënë se gjurmuesi është krijuar me karakteristika të tilla që parandalojnë përdorimin e tij për të ndjekur njerëzit, por pajisja është aq e vogël sa mund të vendoset brenda një xhepi dhe të mos duket, gjë që ka ngritur shqetësime në lidhje me mundësinë për keqpërdorim.
Sidoqoftë, pas ndryshimeve të fundit u bë e ditur se nëse një iPhone zbulon se gjurmuesi i dikujt tjetër po e ndjek, do të shfaqë një alarm si shenjë paralajmërimi./InLajmi/