Federata e futbollit të Kosovës ka njoftuar se është tërhequr shorti për kualifikimet e Kupës së Botës “Zelanda e re – Australia 2023” për kombëtaret e femrave, përcjellë InLajmi.
Kosova është përfshirë në grupin F së bashku me Shqipërinë, ndërsa pjesëmarrës të tjerë të këtij grupit janë edhe Norvegjia, Belgjika, Polonia dhe Armenia.
Njoftimi i plotë i FFK-së:
30 prill, 2021 – Sot në Nion është tërhequr shorti për kualifikimet e Kupës së Botës “Zelanda e Re – Australia 2023” për Kombëtaret e femrave. 51 ekipet pjesëmarrëse në këto kualifikime janë ndarë në 9 grupe, gjashtë grupe me nga 6 ekipe dhe tri grupe me nga 5 ekipe. Kosova u përfshi në grupin F, ku bënë pjesë edhe Shqipëria, ndërkaq pjesë e këtij grupi janë edhe Norvegjia, Belgjika, Polonia dhe Armenia. Ndeshjet e këtij cikli kualifikues fillojnë në shtator të këtij viti, derisa përfundojnë në shtator të vitit 2022. Ndeshjet luhen me sistem vajtje-ardhje. Fituesit e 9 grupeve kualifikohen direkt në Botërorin 2023, derisa skuadrat e renditura në pozitën e dytë do të luajnë në “play-off” për t’u përcaktuar dy ekipet e tjera që do të kualifikohen në Botëror. /InLajmi/