Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka njoftuar se ditëve të shtune dhe të diele, bashkë më disa anëtarë të kabinetit të tij, kanë zhvilluar punëtorinë për hartimin e Programit Qeverisës dhe Planin e Veprimit për 4 vitet e ardhëshme, përcjellë InLajmi
Kurti tha se pas prezantimit të këtyre masave që do të ndërmerrën, këto dokumente do të finalizohen dhe do të dalin në Qeveri për votim dhe në Kuvend për diskutim.
Postimi i plotë i tij:
Të shtunën dhe të dielen, përgjatë katër sesioneve të ndara, bashkë me të 17 anëtarët e kabinetit qeveritar, zhvilluam punëtorinë për hartimin e Programit Qeverisës dhe Planin e Veprimit për katër vitet e ardhshme të qeverisjes sonë. Qëllimet strategjike, objektivat operacionale dhe masat që do të ndërmerren u prezantuan dhe u shqyrtuan gjerësisht. Së shpejti, këto dokumente tejet të rëndësishme që përcaktojnë qartë prioritetet tona në çdo fushë bashkë me punët drejt realizimit të tyre do të finalizohen edhe teknikisht dhe do të dalin në Qeveri për votim e në Kuvend për diskutim.
Qytetarët kanë votuar për ndryshim. Me vullnetin e tyre ata kanë mundësur ndryshimin, kurse me punën tonë, qeveria jonë do ta jetësojë ndryshimin. Programi ynë qeverisës do të reflektojë kërkesat, të drejtat dhe nevojat e qytetarëve, për përmbushjen e të cilave ne do të angazhohemi me përkushtim. /InLajmi/
