Skuadra Flamurtari është zgjedhur kampion dimëror në sezonin e ligës dimërore, shkruan InLajmi.
Gjatë një interviste për Gazetën InLajmi, Etrit Halimi tregoi se që nga muaji gusht, kur ka startuar me këtë ekip, ka luajtur gjithsej në 13 ndeshje të futbollit, si dhe ka shënuar disa gola, dhe në fund ndjehet i kënaqur që si ekip kanë arritur ta fitojnë këtë titull.

“Është ndjenjë e mirë të jesh kampion dimëror, por nuk është aspak e lehtë të arrihet ky sukses që ka arritur ekipi ynë”, ka thënë Halimi.
Mesfushori ka thënë se objektivi i tij dhe i klubit Flamurtari në vitin 2021 është që të hyjnë në Superligë, pasi, sipas tij, klubi për të cilin ai luan e meriton.
“Besoj që do të jemi edhe në stinorin pranveror në këtë pozitë, dhe të inkuadrohemi në Superligë, aty ku e kemi objektivin dhe ku e meriton klubi i Flamurtarit”,,është shprehur ai.
Por, për Halimin dhe lojtarët e tjerë vështirësia më e madhe gjatë këtij viti ka qenë situata pandemike, pasi që, sipas tij, u është dashur të stërviten individualisht deri te fillimi i lojës.
Përveç kësaj, edhe mosprezenca e tifozëve në ndeshjet që ata kanë zhvilluar ka qenë problematike, pasi që, siç tregon ai, tifozët janë ata që i japin motivin kryesor një ndeshjeje.
“Situata pandemike ka mbetet një sfidë për ne, me të cilen jemi ballafaquar si ekip gjatë vitit 2020. Si të gjithë të tjerët, edhe në kemi pasur vështirësi. Stërvitjet kanë qenë në forma individuale deri tek fillimi i ndeshjes, po ashtu edhe mungesa e tifozëve është vështirësi e padiskutueshme, pasi që ata janë motivuesit tanë që na shtynë drejt fitores gjithmonë”, ka theksuar Halimi /InLajmi/


















