Analizë poezisë “Laukonti” të Ismail Kadaresë
Shkruan: Ardit Mehmetaj
Ismail Kadare ka lindur në Gjirokastër, më 28 Janar 1936, ai është një ndër shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë por edhe në letërsinë shqipe përgjithësisht. Si shkrimtar shquhet kryesisht për prozë, por ka botuar edhe vëllime me poezi dhe ese. Njëra ndër poezitë me të njohura të Ismail Kadaresë është poezia “Laukonti”, poezi të cilën e merr nga antika greke dhe e ndërlidh me situatën politike e shoqërore të kohës në Shqipëri. Kadare, merr mitin antik grek dhe e shndërron në temë letrare. Pra, siç e dimë kemi mite që shndërrohen në tema letrare dhe kemi tema letrare që bëhen mite, e, kjo poezi i takon kategorisë së parë, pra, ashtu si Koliqi që “Mitin e Narçistit” e rikthen në temë letrare.
Nisur nga titulli e kuptojmë se në këtë poezi trajtohet personazhi i Laukoont-it. Ai ishte plak i mençur e prift në Trojë. Në luftën mes akeasve dhe trojanëve ai në ditën e fundit të luftës arrin të bëhet hero tragjik i saj. Pasi akeasve nuk u shkonte mirë në luftë dhe ishin duke pësuar disfatë ata me dinakëri vendosin që ta fusin një kali të drunjtë të përmasave të mëdha në Trojë. Këtë fillimisht gjysma e trojanëve e pranuan e të tjerë e kundërshtuan, por më vonë në taborin e kundërshtimit mbeti Laukoont-i i vetëm. Ai sulmoi kalin, por atë e mbytën gjarprinjtë në shenjë hakmarrje për këtë. Pasi kali i drurit hyri në Trojë, nga aty dolën ushtarët akeasë dhe e bën Trojën shkrumb e hi. Këtë ngjarje e merr Kadare dhe me të ndërton poezinë e tij, por varianti që Kadare e shpjegon është variant që e shpërfaq sheshazi gënjeshtrën e trojanëve dhe e tregon të vërtetën.
“Si çdo gjë e tmerrshme është i thjeshtë sekreti,
Që brenda boshllëku i gjoksit tim mban.
Afroni, pra, kokat të dëgjoni të vërtetën,
Mua s’më mbytën gjarpërinjtë, por trojanët më vranë.”
Këtu, Kadare, përmes gojës së Laukoont-it e tregon sekretin që e mbajti ai përmbi tremijë vjet. Ai thotë se mua s’më vranë gjarprinjtë, por më vranë trojanët. Laukoont-i ishte i mendimit se armiku mik s’bëhet e kjo i kushtoi me jetë. Mendimi i tij doli të jetë i vërtetë, por siç thotë populli “Kur t’vijnë mend’t, t’hupin dhën’t”, njësoj ishte edhe për trojanët.

Kjo poezi e Kadaresë është alegori e pastërt, ai e përgënjeshtron se Laukoont-i u vra nga armiqtë, ai u vra për arsye të pastërta politike por vendasit e tyre krimin që e bën vetë, ua mveshën armiqve.
Kjo poezi është shkruar në Shqipërinë e viteve të ’70-ta, në një nga diktaturat më të egra të botës. Laukoont-i i shndërruar nga Kadare në viktimë politike zhvillon monolog në poezi. Ai më nuk qanë për fatin e tij, por qanë për të tjerët që nuk e kuptuan të vërtetën e fatit të tij. Kështu edhe Kadare s’e qanë fatin e tij, por të popullit që nuk e kuptuan të vërtetën e sistemit. Poezia e tëra është kod, ajo nuk mund të dekodohet në pjesëza por vetëm si tërësi pasi poezia në përmbajtje është denotative por vetëm si tërësi është konotative. Kjo poezi shkatërron propagandën e kohës dhe i varë në litarin e së vërtetës gënjeshtrat e sistemit komunist në Shqipëri. Poezia e përcjell mesazhin se kur tradhtari e shpallë idealistin tradhtar, ai përmes tij e mbulon tradhtinë e vet. Njësoj si tek “Ferma e kafshëve”, derri Napolon duhet ta shpikë një armik të jashtëm për t’i mbajtur të bashkuar kafshët brenda. Napoloni është vetë tradhtar, por për ta mbuluar tradhtinë e tij, ai shpalli tradhtar mes të gjithë kafshëve idealistin Snouboll. Andaj, poezitë e tilla të thella alegorike atëkohë kanë kërkuar lexues që lexojnë mes shkronjave, lexues që lexojnë përtej asaj që shohin. Prandaj poezia është e thellë edhe pse ka mungesë figurash, pasi është vetë figurë.
Gjuha që e përdor Kadare është e lehtë, në shumë raste përshkruese e herë – herë nostalgjike për të vërtetën që u mbulua me shekuj e madje edhe mileniume. Strofat janë katërshe të rimuara me rimë të kryqëzuar ABAB.
“Laukonti” i Kadaresë është shkruar në një kohë, por nuk është për një kohë. Poezia e tij është monument që i qëndron stuhisë së quajtur kohë pasi lufta për ta mbuluar të vërtetën është gjithmonë ekzistente në pushtetet dhe qeveritë anëkënd botës. Poezia është plumb që e vret gënjeshtrën, ajo e tregon të vërtetën e Laukoont-it, e shpërfaq atë të vërtetë se ata që e vranë Laukoont-in nuk ishin gjarprinjë, por ishin si gjarprinjë. Njësoj si poema “Ekskursioni teologjik i Sokratit” nga Lasgush Poradeci, ashtu edhe poezia “Laukonti” nga Ismail Kadare është thirrje e përhershme se vetëm të vërtetën duhet thënë, vetëm të vërtetën duhet ndjekur.