Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e njoftoi ambasadorin e Rusisë në Beograd, Aleksandar Botsan Harchenko, në lidhje me vazhdimin e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, bëri të ditur kabineti i Vuçiqit.
Siç transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë, Vuçiq e ka bërë këtë një ditë pas rifillimit të dialogut midis Vuçiqit dhe kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, me ndërmjetësimin e zyrtarëve të Bashkimit Evropian.
Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve – rrethi i parë pas 20 muajsh – u zhvillua përmes video-konferencës, ndërsa takimi i drejtpërdrejtë është caktuar për datën 16 korrik, në Bruksel.
Në njoftimin e Presidencës së Serbisë, përveç që thuhet se Vuçiq dhe Harchenko diskutuan veçanërisht për çështjen e Kosovës, detaje të tjera nuk jepen.