Infektimi me koronavirus i së paku dy deputetëve dhe tre zyrtarëve të lartë të administratës së Kuvendit ka shkaktuar gjendje pasigurie për të punuar brenda këtij institucioni.
Për rrjedhojë, siç mëson AktivPress nga burimet e veta, sot në Kuvend janë kryer një sërë testimesh për Covid-19 nga IKSHPK-ja.
Në listën prej 50 vetash të cilën e ka parë gazeta, figurojnë emra deputetësh dhe të stafit të administratës.
Në grupin e deputetëve bëjnë pjesë 30 veta, ndërsa nga administrata 20.
Deputetët që janë futur në listë për testim vijnë thuajse nga të gjitha grupet parlamentare.
Në fakt kjo është hera e dytë gjatë kësaj jave që bëhen testime në Kuvend.
Të hënën kanë i kryer testet 51 veta, që i bie që brenda katër ditëve në Kuvend janë testuar hiq më pak se 101 persona.
Rasti i parë i konfirmuar me Covid-19 brenda Kuvendit ka qenë ai i shefit të GP të LDK-së, Arben Gashi.
Më pas, pozitiv me covid kanë rezultuar edhe Sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi dhe Drejtori i përgjithshëm për çështje ligjore, Xheladin Hoxha.
Këto raste, shtuar dy të fundit, kanë shtyrë Kuvendin që të kërkojë nga IKSHPK-ja testime në masë më të madhe.
Me masat e reja që janë aprovuar nga Qeveria, siç shkruan AktivPress, parashihet mbyllja e zyrave apo njësive në të gjitha institucionet publike dhe bizneset private ku ka raste pozitive.
Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, ditë më parë ka reaguar duke thënë se rritja e konsiderueshme e rasteve me Covid-19, kërkon vëmendjen urgjente të Qeverisë dhe përkushtimin e të gjithëve në respektimin e udhëzimeve.