Zëvendësministri i Arsimit, i emëruar ditë më parë nga Qeveria, Driton Bardheci, është ende student i vitit të tretë në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike.
Këtë e ka konfirmuar dekani i këtij Fakulteti, Ahmet Shala.
Ai ka thënë se Bardheci i ka regjistruar studimet në vitin akademik 2015/2016.
“Ai është student i drejtimit inxhinieri industriale dhe menaxhment, ende nuk i ka përfunduar studimet për është afër përfundimit. Sa i përket suksesit të tij nuk mund të lëshohem në komente të tilla sepse ai ende nuk i ka përfunduar studimet”.
Emërimi i Bardhecit si zëvendësministër i Arsimit ka ngjallur reagime të shumta tek shoqëria civile e organizatat studentore.
“KOHA” ka drejtuar pyetje në Qeverinë e Kosovës përse është emëruar zëvendësministër një person pa studime themelore dhe nëse do të anulohet ky vendim por deri tash nuk ka marrë përgjigje.
Ministri i Arsimit, Ramë Likaj nuk është përgjigjur që nga dje, ndërkaq shefi i kabinetit të tij, Gëzim Berisha ka thënë se deri tash i vetmi zëvendësministër i emëruar në MASH, është Bardheci.