Radhëve të shteteve që e mirëpritën heqjen e taksës nga kryeministri Kurti, iu bashkua edhe Italia, përcjell InLajmi.
Ambasadori i Italisë në Prishtinë, Nicola Orlando, ka bërë të ditur se Italia ka mirëpritur heqjen e taksës ndaj mallrave të Serbisë.
“Italia mirëpret heqjen e tarifës 100% nga ana e Kosovës. Dialogu i lehtësuar nga BE-ja tani duhet të rifillojë sa më shpejt që të jetë e mundur. Të gjitha çështjet në pritje me Serbinë duhet të adresohen brenda kësaj kornize. Lufta kundër koronavirus kërkon përpjekje dhe bashkëpunim të përbashkët”, shkruan diplomati italian në Twitter.
Më herët edhe ambasadori i Gjermanisë, Christian Heldt, është deklaruar se ka mirëpritur heqjen e taksës, e cila ka hyrë sot në fuqi, si dhe vazhdimin e procesit të dialogut me ndërmjetësimin e BE-së. Qeveria në detyrë ka marrë vendim për largimin e taksës dhe vendosjen graduale të reciprocitetit./InLajmi/
