Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlut Çavushoglu (Mevlüt Çavuşoğlu) ndodhet në Shqipëri në kuadër të vizitës së tij zyrtare.
Gjatë ditës së martë ministri Çavushoglu vizitoi Universitetin “New York Tirana” të fondacionit turk “Maarif” dhe pati një takim në Tiranë me qytetarët turq dhe zyrtarët e institucioneve turke në Shqipëri.
Kryediplomati turk ishte pjesë e ceremonisë së hapjes së zyrës së re të Qendrës për Kërkime Ballkanike (Balkan Research Center-BRC), e cila do të funksionojë në kuadër të Universitetit “New York Tirana” (UNYT), ndërsa pjesë e ceremonisë ishte edhe ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, përfaqësues të Fondacionit Turk “Maarif”, drejtues të universitetit, studiues dhe studentë.
Sipas njoftimit nga UNYT në fjalën e tij në ceremoni, ministri Çavushoglu foli mbi përparësitë e politikës së jashtme turke, stabilitetin dhe prosperitetin e Ballkanit.
Qendra BRC synon të kontribuojë për bashkëpunimin përmes shkëmbimit të mendimeve akademike, hulumtimit dhe ekspertizës në fushën e kërkimeve në Ballkan. Gjithashtu kjo qendër në të ardhmen do të organizojë aktivitete të ndryshme duke përfshirë shkëmbimin e studentëve, leksione, seminare, simpoziume dhe tryeza diskutimi.
Ndërkohë, në një deklaratë nga Ministria e Punëve të Jashtme të Turqisë, në lidhje me vizitën e ministrit Çavushoglu në Shqipëri thuhet se “Me Shqipërinë vëllazërore do të diskutohen marrëdhëniet bilaterale si dhe mundësitë e bashkëpunimit. Do të ndahen përvojat mbi proceset e pranimit në BE, si dhe do të shkëmbehen pikëpamjet mbi çështjet rajonale dhe ndërkombëtare”, transmeton AA.
Ministri Çavushoglu, gjatë ditës së sotme do të realizojë takime me zyrtarë të lartë të Shqipërisë, si me Kryetarin e Kuvendit Gramoz Ruçi, ministrin në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj dhe zyrtarë të tjerë.