Dardan Molliqaj nga radhët e PSD-së, në lidhje me ngjarjet e fundit për arritjen e një marrëveshje për aviacionin ajror Prishtinë-Beograd, duke thënë se në këtë marrëveshje Kosova nuk u përfaqësua si palë por si agjension.
“Me marrëveshjen e fundit, Serbia arriti që çdo qarkullim ajror që bëhet nga dhe drejt Prishtinës e që duhet të kalojë kah hapësira ajrore e Serbisë, të monopolizohet vetëm nga një kompani – që në anën tjetër mund të shërbejë edhe si ndërmjetësuese potencialisht për kompani ajrore të Serbisë. Kjo marrëveshje u nënshkrua duke u bazuar në Rezolutën 1244 dhe aty Kosova nuk u përfaqësua as si palë, por vetëm si një agjension”, shkroi Molliqaj në rrjetin social, Facebook.
“Është i papranueshëm lavdërimi i kësaj marrëveshjeje nga pushteti në shkuarje dhe partitë e tjera parlamentare. Është po aq i papranueshëm mos-reagimi i të nominuarit për Kryeministër, që u votua nga qytetarët bash duke premtuar reciprocitet e barazi në raportet e Kosovës me Serbinë”, theksoi ai.
Më tej tha se kjo marrëveshje e dëmshme për Kosovën do të duhet të kundërshtohej e jo të nënshkruhej e të pranohej.
“Sot, për herë të parë pas 14 viteve, gjeti vullnetin dhe kohën për të komentuar për Rugovën, vetëm dhe vetëm sepse po i duhet për pushtet. Dhe sot, për herë të parë pas 15 vitesh, nuk e kundërshtoi një marrëveshje shumë të dëmshme me Serbinë, vetëm dhe vetëm nga frika që po mbetet pa arritur në pushtet”, shtoi ai.
“Ky është një paralajmërim i qartë që edhe nën qeverinë e tij, Kosova do të dëmtohet shumë në raport me negociatat me Serbinë”, përfundoi Molliqaj. /InLajmi/