Zyra e BE-së në Kosovë nëpërmjet një njoftimi ka folur për zhvillimet e djeshme politike, ku Glauk Konjufca i VV-së u zgjodh për postin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, shkruan InLajmi.
Përmes një njoftimi për media, zyra e BE-së ka uruar Glauk Konjufcën por edhe ka bërë thirrje për formimin sa më të shpejtë të qeverisë dhe institucioneve të reja.
Sipas tyre, formimi i institucioneve të reja, do ta ndihmonte Kosovën në lëvizjen përpara drejt zhvillimit ekonomik dhe social, si dhe sundimin e ligjit.
“Ne mirëpresim konstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe urojmë kryekuvendarin e ri, Glauk Konjufcën. Ne presim formimin e shpejtë të qeverisë, që do të mundësonte lëvizjen përpara të Kosovës drejt zhvillimit ekonomik dhe social, si dhe sundimin e ligjit në bazë të agjendës evropiane”, thuhet në komunikatën e tyre.
Nga zyra e BE-së janë shprehur të gatshëm për bashkëpunim me autoritetet e reja në Kosovë. /InLajmi