Petrit Idrizi, ka demantuar thënien popullore, të paktën pjesën e dytë të saj se “Tërshëra nuk bëhet bereqet dhe hirra bulmet”.
Si student i nivelit Master në Fakultetin e Teknologjisë Ushqimore (FTU) në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB), ai ka arritur që të prodhoj djathë nga hirra dhe me këtë edhe e ka mbrojtur temën e diplomës me titull “Vlerësimi i teknologjisë së përftimit të djathit-hirrë”.
Idrizi tregon se ideja për këtë i ka lindur gjatë qëndrimit në një universitet në Holandë, në kuadër të programit Erasmus+.
“Me një grup studentësh gjatë qëndrimit në Holandë kemi filluar një eksperiment për prodhimin e djathit nga hirra dhe profesorët kanë qenë të mahnitur pas prezantimit të punës sonë”, bëhet e ditur në njoftim.
Sipas tij, prezantimi është vlerësuar maksimalisht nga profesorët e atjeshëm dhe kjo e ka inkurajuar që ta vazhdoj këtë projekt edhe pasi është kthyer në UMIB.
Idrizi potencon se kjo ka qenë diçka e re për natyrën e punës kërkimore që është bërë në FTU, mirëpo ka gjetur mbështetje nga mësimdhënësit dhe në këtë rast nga mentori, prof.dr.Alush Musaj.
“Përkundër asaj se në laboratorët e FTU-së mungojnë disa pajisje që janë të nevojshme për këtë lloj prodhimi, ai ka dalë me sukses që të kryej hulumtimin e tij dhe të prodhoj djathin nga hirra. Tregon se kjo ka zgjuar kureshtjen edhe në mesin e studentëve, meqë deri me tani në Kosovë nuk është kryer një eksperiment i tillë”, thuhet në njoftim.
Një fakt i rëndësishëm në aspektin shkencor, është se djathit të prodhuar i janë bërë analizat mikrobiologjike dhe janë dalë brenda parametrave normal.
“Si i tillë, ky prodhim është i gatshëm për treg”, thotë ai. Nga informacionet që ka kërkuar ai, ky lloj djathi prodhohet dhe shitet në vendet skandinave, ku 1 kilogram shitet prej 20-30 euro.
Sipas tij, djathi që prodhohet nga hirra ka ngjyrë të kuqe, nuk ka krip dhe preferohet të përdoret në mëngjes. Sa i përket përbërjes, thotë se, ka karbohidrate, proteina dhe jod.
“Është i mirë veçanërisht për ata që merren me fitnes, meqë forcon dhe rrit masën muskulore”.
Sa i përket idesë që ky lloj djathi të prodhohet nga industria e qumështit në Kosovë, Idrizi thekson se ende nuk ka ndonjë projekt serioz, meqë duhet një studim i tregut fillimisht.
Megjithatë ai tashmë recetën e ka të gatshëm dhe pret interesimin e industrisë në mënyrë që edhe në Kosovë të ketë një prodhim të djathi-hirrë, ashtu sikur në vendet e zhvilluara skandinave.