Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka thënë se për të gjitha propozimet për ndarjen e mundshme të ministrive dhe postit të presidentit përfshirë edhe opsionin 6 ministri për LDK-në dhe 4 ministri e posti i presidentit për VV-në do të flitet në takimet e radhës.
Ai ka thënë po ashtu se komunikojnë vazhdimisht me LDK-në, derisa është shprehur optimist se marrëveshja mund të ndodhë.
“Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm sepse ditët po shkojnë, por duhet ta kuptoni që nuk mund të mbajmë seancë para datës 26 dhjetor”.
“Kjo nuk ka qenë në dorën tonë, është presidenti aktual (Hashim Thaçi) që i ka shfrytëzuar maksimalisht ditët për të caktuar seancë. Ka mundur ta caktojë seancën më herët, por e ka caktuar ditën e fundit të mundshme”.
“Ne i kemi edhe këto ditë tash që ta përmbyllim marrëveshjen tonë. Vullneti, dëshira dhe votimi i qytetarëve e bën marrëveshjen tonë edhe më shumë se të nevojshme. Është e pamundshme të mos kemi takime”.
“Marrëveshja, besoj që është e mundshme. Por, këtë gjë duhet t’ia lëmë procesit të bisedimeve”.
Kurti ka deklaruar se nuk mund të japë lajme derisa nuk ka rezultate konkrete në bisedimet me LDK-në, pavarësisht interesimit të madh të gazetarëve.
Duke folur për vizitën e deputetëve gjermanë dje në Kosovë, i pari i Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë se faktori ndërkombëtar është në favor të marrëveshjes VV-LDK, por nuk bën presion për arritjen e saj.
“Nuk kam qenë dje në Kosovë, por me siguri se në të gjitha takimet që kemi pasë me faktorët ndërkombëtarë kryefjala është që duhet të bëhet marrëveshja. Ne këtë e kemi kërkuar dhe deklaruar qysh në fillim dhe kemi vullnet që në ditët e mbetura ta realizojmë këtë marrëveshje”, shkruan Klan Kosova.
“Faktorët ndërkombëtarë nuk bëjnë asnjë trysni konkrete për elementet tona të marrëveshjes, veç se thonë bëjeni atë marrëveshje. Besoj se vullneti i tyre i mirë dhe vullneti jonë i mirë duhet të rezultojë me marrëveshje, por s’mund të them konkretisht elementet e marrëveshjes pa i pasë ato”.