Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Albena Reshitaj përmes një postimi në Facebook ka bërë një kërkesë Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, e cila i ka kërkuar që ta anulojë takimin me Vuçiqin më 21 dhjetor në Durrës.
Kjo kërkesë vjen pasi javën e kaluar Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka bërë një deklaratë lidhur me masakrën e Reçakut të cilën e quajti trillim.
“Kërkesë publike, Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama!
Duke kujtuar se 20 vite më parë, nën petkun e flamurit Shqiptar, pikërisht nën petkun e flamurit që ju përfaqësoni si Kryeministër i shtetit Shqiptar, u varrosën shumë fëmijë, pleqë, gra e burra të pafajshëm, pas masakrës që cilësohet si njëra ndër ngjarjet më të tmerrshme që ka ndodhur në Ballkan.
Para një jave, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq bëri një deklaratë skandaloze, ku mohoi masakrën e Reçakut, madje duke e konsideruar shpikje ?!
Pikë së pari, si një bashkëkombase e Juaja, por edhe si një Deputete e zgjedhur e Kuvendit të Kosovës, kërkoj nga Ju, që së paku në bazë të përgjegjësisë morale, të anuloni takimin Tuaj të paraparë për 21 Dhjetor në Durrës, me njeriun që në vend se të kërkoj falje, ai vazhdon t’i mohoj krimet e pushtetit të atëhershëm serb, pjesë e të cilit ishte edhe vet si ministër.
I nderuar Kryeministër i Shqipërisë, Ju nuk duhet të uleni e të flisni sërish me të, deri sa ai të reflektoi për deklaratën e dhënë. Kjo nuk është fyerje vetëm për familjarët e viktimave, apo vetëm për shtetin e Kosovës, por është fyerje e rëndë ndaj të gjithë shqiptarëve”, ka shkruar Albena Reshitaj./InLajmi/