Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala ka thënë se Kosova dhe Mbretëria e Bashkuar janë edhe një hap më afër në fushën ekonomike dhe politike.
Ai në një postim në Facebook ka deklaruar se sot ka nënshkruar marrëveshjen e partneritetit, tregtisë dhe bashkëpunimit me Mbretërinë e Bashkuar.
Tutje ka treguar se qëllimi i kësaj marrëveshje është sigurimi i kushteve të barabarta të konkurrencës në tregti mes të dyja vendeve dhe bashkëpunimi për mbrojtjen e duhur dhe efikase të të drejtave pronësore intelektuale.
Postimi i plotë:
“Kosova dhe Mbretëria e Bashkuar edhe një hap më afër në fushën ekonomike dhe politike.
Në emër të Republikës së Kosovës sot kam nënshkruar marrëveshjen e partneritetit, tregtisë dhe bashkëpunimit me Mbretërinë e Bashkuar. Kjo marrëveshje e afron Kosovën edhe një hap më afër me shtetin mik, Britaninë.
Promovimi dhe zgjerimi i tregtisë dypalëshe përmes zhvillimit të harmonizuar të marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve, eliminimin e barrierave dhe kufizimeve në tregtinë e mallrave dhe shërbimeve, të kontribuoj në zhvillimin dhe zgjerimin e harmonizuar të tregtisë botërore.
Po ashtu marrëveshja ka qëllim sigurimin e kushteve të barabarta të konkurrencës në tregti mes të dyja vendeve dhe bashkëpunimi për mbrojtjen e duhur dhe efikase të të drejtave pronësore intelektuale”, shkroi Shala./InLajmi