Kombëtarja e Kosovës ka qenë e pafat në shortin e tërhequr sot në Nion. Në fakt, në rast se Dardanët e fitojnë duelin gjysmëfinal kundër Maqedonisë së Veriut, edhe ndeshjen finale të “play-off”-it të Ligës së Kombeve për EURO 2020, do ta luajnë si mysafirë në Gjeorgji ose Bjellorusi.
Kjo u vendos në shortin e tërhequr sot në mesditë në selinë e UEFA-s, ku goglat e favorizuan fituesin e çiftit Gjerorgji – Bjellorusi. Kësisoj, Dardanët nuk do të kenë përparësinë e terrenit vendas as në gjysmëfinale, por as në rast kualifikimi në finale, gjë e cila pa dyshim ua vështirëson rrugën drejt Evropianit.
Kosova do ta zhvillojë gjysmëfinalen me Maqedoninë më 26 mars të vitit 2020, ndërsa finalja do të mbahet më 31 mars, , transmeton RTK.
Nëse e arrin kualifikimin, Kosova do të luajë në Kampionatin Evropian për herë të parë në histori.




















