Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dje kishte zhvilluar takime të rëndësishme me përfaqësues të lartë në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Francës, temë diskutimi kishin marrëdhëniet bilaterale midis dy shteteve atë të zhvillimeve politike në Kosovë dhe situatën rajonale në Ballkan.
Kurti përmes një postimi në Facebook ka thënë se në kuadër të vizitës dyditore në Paris, dje në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Francës në Quai D’Orsay, ka takuar drejtorin për Evropën Kontinentale, Frederic Mondoloni, shefin e departamentit për Ballkanin Perëndimor, Thomas Bertin, dhe drejtorin e kabinetit të ministrit të çështjeve evropiane, Vincent Guerend.
Postimi i tij i plotë:
Në kuadër të vizitës dyditore në Paris, dje isha në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Francës në Quai D’Orsay ku takova Drejtorin për Evropën Kontinentale, z. Frédéric Mondoloni, Shefin e Departamentit për Ballkanin Perëndimor, z. Thomas Bertin, dhe, Drejtorin e Kabinetit të Ministrit të Çështjeve Evropiane, z. Vincent Guerend.
Pas urimeve të tyre për suksesin tonë në zgjedhje dhe falënderimeve të mia për mbështetjen e Francës për Kosovën, diskutuam për marrëdhëniet bilaterale midis dy shteteve tona, zhvillimet politike në Kosovë dhe situatën rajonale në Ballkan. /InLajmi
