Në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit, shumica e grave deputete të ardhshme kanë siguruar ulëset në Kuvendin e Kosovës pa pasur nevojë për kuotë gjinore.
Ligji për barazi gjinore në Kosovë obligon që 40 për qind e grave të jenë të përfshira në pozita vendimmarrëse, ndërsa 30 për qind e ligjvënësve kosovarë duhet të jenë të gjinisë femërore.
Albert Krasniqi, njohës i zhvillimeve politike në Kosovë në rrjetin social Facebook ka shkruar se në këto zgjedhje do të ketë më së paku gra të zgjedhura në Kuvend me kuotë gjinore, vetëm 13 nga 39 të zgjedhura.
Sipas tij, kuotës gjinore gradualisht po i humbet rëndësia. “Koha të mendohet për kuota gjinore në lista të kandidatëve 50/50”, ka shkruar ai në Facebook.
Të gjitha deputetet e ardhshme (njëmbëdhjetë) të Lëvizjes Vetëvendosje, ka shkruar ai, kanë siguruar ulëset në Kuvendin e Kosovës në bazë të votave të fituara në zgjedhje.
Në Lidhjen Demokratike të Kosovës si deputete të ardhshme nëntë kanë hyrë si të zgjedhura, ndërsa dy deputete kanë hyrë përmes kuotës gjinore.
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), thotë për Radion Evropa e Lirë se ka një trend të rritjes së numrit të deputeteve, të cilat fitojnë mandat pa pasur nevojë për kuotë.
Megjithatë, ai shton se kuota gjinore ndonëse në disa aspekte mund të shihet si diskriminuese, duhet të vazhdojë të jetë në përdorim në Kosovë të paktën edhe për disa palë zgjedhje.
“Numri, tashmë, në rritje në baza të trendëve të zgjedhjeve paraprake, i grave që kanë fituar mandat, pa pasur nevojë që këtë mandat ta marrin përmes kuotës, tregon që ekziston një emancipim kulturor dhe qytetar i votuesve të Kosovës, të cilët kanë kaluar barrierat apo steriotipet gjinore qëkanë ekzistuar në mesin e shoqërisë sonë. Jemi ende larg shifrës së kënaqshme të përfshirjes së grave në institucione në përgjithësi”, thotë Cakolli.
Edhe Arbëresha Loxha shton se Kosova ende ka nevojë të ketë kuotën gjinore në fuqi.
Ajo thotë se partive politike vazhdon t’iu mungojë vullneti dhe aftësia për të krijuar hapësirë për gra kompetente dhe të talentuara. Loxha shton se nëse i shikohen strukturat vendimmarrëse të partive pozicionet drejtuese janë pothuajse shumica të paarritshme për shumicën e grave.
“Këtë më së miri e tregon edhe pjesëmarrja e grave në listat zgjedhore ku ka qenë vetëm në kuotën e obligueshme me lig. Po ashtu, nëse e shohim emërimin minimal në strukturat e vendimmarrëse të partive apo në pozita udhëheqëse në Qeveri apo institucione publike. gjithë kjo përforcon nevojën që kuota gjinore të mbetet, derisa shoqëria jonë të arrijë një pjekuri që partitë dhe në përgjithësi qytetarët, e vlerësojnë fuqinë politike të grave”, thotë Loxha, për Radio Evropa e Lirë.
Sistemin e kuotave në Kosovë për herë të parë e pati aplikuar Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), në vitin 2000. Në bazë të një rregulloreje kërkonte që së paku 30 për qind të kandidatëve në listat e partive të jenë të gjinisë femërore.