Provat të cilat prokurorja në rastin “Pronto” kishte paralajmëruar se do t’i propozonte këtë të hënë, sipas Drita Hajdarit, të njëjtat gjenden në shkresat e lëndës.
Hajdari më tutje ka thënë se këto prova janë pjesë e raportit policor i propozuar që të administrohet si provë në aktakuzë.
“Këto prova kanë lidhje të ngushtë me dëshmitë e dëshmitarëve nga seanca e kaluar. Në kuadër të këtij raporti, propozoj që të administrohen si prova shkresa e ndërmarrjes së hekurudhave ‘Trainkos’, konkursi për pozitën e kryeshefit ekzekutiv, raporti mbi vlerësimin dhe rangimin dhe krijimin e listës së ngushtë të kandidatëve për pozitën kryeshef në ‘Trainkos’ 07.2011 dhe ‘Infrakos’”, ka thënë Hajdari.
Më tutje, Hajadari ka propozuar që të administrohet si provë edhe vendimi i qeverisë së Kosovës i datës 21.12.2011 për anulimin e konkurseve për kryeshfa ekzekutiv në “Trainkos” dhe “Infrakos”.
Derisa mbrojtja e Grabovcit dhe Beqajt kanë kundërshtuar këto prova, trupi gjykues është tërhequr për disa minuta për t’i shqyrtuar këto propozime të prokurorisë, transmeton Kohanet.
Pas një pauze disa minutëshe, trupi gjykues erdhi në përfundim që provat e propozuara të konsiderohen si prova dhe të administrohen si prova të administruara, ka thënë kryetari i trupit gjykues, Shasivar Hoti.