Eurodeputetja sllovene, Tanja Fajon, pas marrjes së mandatit të dytë si raportuese e vizave për Kosovën nga Parlamenti Evropian, ka thënë se do të bëjë çmos që kosovarët të lëvizin sa më shpejtë pa viza në Zonën Schengen.
Fajon në një intervistë për Gazetën Express nuk ka pranuar që të japë ndonjë datë se kur mund të ndodh heqja e vizave, megjithatë ka treguar përpjekjet që po bënë për kthimin e çështjes së liberalizimit të vizave në agjendat e institucioneve relevante të bashkimit Evropian. Ajo në fund ka bërë thirrje edhe për institucionet e Kosovës që të punojnë ngushtë me institucionet e BE’së dhe të mos bëjnë hapa mbrapa nga progresi i bërë vitin e kaluar në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.
Tanja Fajon, thotë se është shumë e lumtur që Komiteti LIBE i ka rikonfirmuar edhe për një mandat detyrën e negociaotres për çështjen e vizave.
“ Jam e lumtur që Komiteti LIBE rikonfirmoi mandatin tim negociues për bisedime me qeveritë e BE’së në çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën të martën e kaluar. Një gjë e tillë ishte e nevojshme pas zgjedhjeve dhe përbërjes së re të Parlamentit. Siç e mbani në mend, Parlamenti Evropian ka dhënë dritën e gjelbër në prill”, ka thënë Fajon.
Në këtë intervistë Fajon ka treguar edhe për një takim që ka pasur në Bruksel gjatë kësaj jave me ministren e Punëve të Brendshme të Finlandës, të cilës thotë se ia ka përsëritur faktin që Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizim të vizave, dhe gjithashtu i ka bërë thirrje që ta kthejë në tavolinën e diskutimeve çështjen e vizave për Kosovën, shkruan/insajderi/.
“Kam takuar ministren e Brendshme të Finlandës këtë javë në Bruksel. Kemi pasur një diskutim shumë të drejtpërdrejtë dhe të sinqerisht. Mes tjerash, unë i kam përsëritur që Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet, që BE’ja ka premtuar se do t’ua jap (liberalizimin), dhe që Këshilli vazhdon ende të refuzojë të veprojë. Unë i bëra thirrje asaj që të vendos përsëri në tavolinë çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën”, është shprehur Fajon.