Aleksandar Vuçiq, Presidenti i Serbisë ka thënë të martën se Evropa pa dyshim se dëshiron zgjidhjen e problemeve mes Kosovës e Serbisë.
Duke folur pas një takimi me kancelaren gjermane, Angela Merkel, në margjina të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, Vuçiqi tha se Gjermania insiston në këtë.
“Plani dhe ideja nga presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelarja Merkel është të organizojnë një takim rajonal dhe të nisin bisedimet intensive mes serbëve dhe shqiptarëve”, ka thënë ai, raporton televizioni serb N1, transmeton Koha.net.
Vuçiqi shtoi se Merkeli dëshiron stabilitet afatgjatë dhe, sipas tij, “ajo do të investojë të gjitha përpjekjet në ruajtjen e stabilitetit”.
“Ajo dëshiron që ne të flasim derisa të gjejmë një zgjidhje”, tha presidenti serb.
Vuçiqi është takuar edhe me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, të cilit i ka thënë se “do të jemi të përkushtuar në mbështetjen e punës suaj në mbështetje të paqes dhe stabilitetit”.
Temë kyçe e këtij takimi ka qenë Kosova, por që s’është treguar se çfarë është biseduar rreth kësaj teme.