Krenaria e Kosovës, Lirie Hajdari me prejardhje nga Kosova korr suksese në shtetin Austriak me Taekwondo, sport luftarak. Edhe pse është vetëm 19 vjeçare, ajo tregon se gjithmonë sporti luftarak ka qenë pasion dhe se synimi i saj ka qenë të bëhej trajnere e suksesshme. Këtë sukses ua dedikon familjes dhe gjithë shqiptarëve, pasi që për të ka shumë rendësi prejardhja shqiptare. Përveç që është trajnere profesioni i dytë i saj është menaxhere marketing dhe po këtë profesion e praktikon. Suksesi i saj nuk ka të ndalur këtë na e tregon edhe gjatë intervistës për “InLajmi”.
Për publikun Austriak je e njohur por tregona pak për publikun shqiptar se kush je më detajisht?
“Unë jam Liria, jam 19 vjeçe. Jam trajnerja e parë shqiptare e sportit luftarak Taekwondo. Gjithmonë i kam dashur sportet dhe pas përfundimit të shkollës kam filluar të punoj në zyre në një shkollë të Taekwondos . Aty filloj edhe interesimi im për këtë sport.
Çfarë do të thotë Taekwondo?
Taekwondo është emri i artit marcial i kthyer në sport modern ndërkombëtar që është ushtruar në Koren Jugore. Koreanët janë shumë të dhënë pas këtij sporti dhe i japin shumë rëndësi.
Kur ka filluar inspirimi për këtë lloj sporti?
“Unë kam qenë e interesuar për karate ose Taekwondo shumë kohë më parë,
por pasi e kam ushtruar “Taekwondo” kam qenë shumë e befasuar.
“Taekwondo” sporti që unë praktikoj ka qenë shumë interesant edhe i mirë për mua. Pastaj kam filluar me trajnime çdo ditë ku me pas kam marrë pjesë në kurse ku kam marrë edhe çertifikatë që më jep të drejtën të jem trajnere e Taekwondos .
Si është të jesh një trajnere e suksesshme në këtë moshë aq të re?
E lehtë nuk ka qenë pasi kam punuar ditë e natë për këtë sukses, por një gjë e di që nëse do suksesin nuk shihen vitet, por puna me pasion dhe përkushtim të drejton në rrugët e suksesit.
Cila grupmoshë është më e interesuar për këtë lloj sporti që aplikoni?
“Tani kam hapur shkollën për Taekwondo ku pjesë e saj janë 30 nxënës, të cilët i trajnoj 3 herë në javë, ata ju përkasin moshave të ndryshme duke filluar nga 3 vjeç deri 60 po ashtu dhe dy gjinive. Për të gjithë është sporti, në radhë të parë këtë sport ua preferoj femrave, sepse në ditët e sotme vetëmbrojtja është shumë e rëndësishme duke marrë parasysh abuzimet,dhunën dhe përdhunimet që po ndodhinë në shoqërinë tonë.
Përmes Taekwondo femrat përvetojnë aftësitë e vetëmbrojtjes dhe tregojnë anën e fortë të tyre.
Taekwondo është një sport shumë i dashur edhe për fëmijët ky sport i mban ata aktiv në aspektin trupor dhe mendor gjë që është shumë e rëndësishme gjatë zhvillimit të fëmijëve.
Gjithashtu edhe moshat më të vjetra mund të ushtrojnë këtë sport gjë që ju ndihmon të jenë më aktiv në jetën e përditshme.
Cili është mesazhi për të rinjtë që mund të përçoj ky sport, në motivin për të e ndjekur suksesin qoftë në Kosovë dhe jashtë vendit?
Mesazhi im për të gjithë të cilët e kanë një ëndërr, një pasion dhe një vullnet të mirë qoftë në sport, muzikë apo çdo lloj profesioni është: punoni me zemër por punoni shumë deri sa të bëheni profesionist, pastaj suksesi është i lehtë. Unë që nga fëmijëria ime e kam pas këtë ëndërr, i kam vënë vetës një qëllim dhe ja ku jam, nuk do të isha këtu po të mos punoja pa u ndalur, jeta ka dhe moment të hidhura por kryesorja të fokusohemi tek e mira, tek ajo që na bënë të ndihemi mirë. E di që Kosova ka shumë talent në të gjithë botën, në futboll në muzikë, artë, politikë, Kosova është krenare për krejt ata që e përfaqësojnë Kosovën si vendi më i bukur në botë. Unë kam lindur dhe rritur në Austri por jam shumë krenare për Kosovën.