Deputeti i Vetëvendosjes, Mefail Bajqinovci e ka shprehur shqetësimin e tij rreth humbjes së regjistrimeve të zërit në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare që është mbajtur më 17 mars pas rasteve të para me Covid-19 në Kosovë, përcjell InLajmi.
Bajqinovci përkundër bashkëpartiakëve të tij që sot kanë komentuar mbi aktgjykimin e Gjykatës Kushtetutese për dekretin e Presidentit, ai ka vendosur ta injorojë këtë temë.
Bajqinovci ka thënë se humbja e regjistrimeve të zërit nga hard disqet krijon bazë për dyshime se kjo ka qenë e qëllimshme.
“Si deputet i parlamentit të Kosovës jam i shqetësuar nga informatat që po i lexoj në media rreth çështjes së humbjes së regjistrimeve të zërit në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ku u tentua shpallja e Gjendjes së Jashtëzakonshme nga presidenti me qëllim grabitjen e kompetencave për qëllime tjera, pra janë shumë shqetësuese.
Zyrtarët përgjegjës sipas mediave kanë vepruar në një mënyrë tërësisht jo profesionale, duke shmangur detyrat dhe përgjegjësitë e tyre, gjë e cila krijon bazë për dyshime serioze për një operacion të qëllimshëm të humbjes së gjurmëve të asaj çfarë është diskutuar aty.
Shqetësuese është fakti që policia dhe prokuroria nuk kanë nisur hetime edhe pse është cenuar siguria kombëtare, si dhe rasti është paraqitur në polici”, ka shkruar deputeti i VV’së.
Kurse, gjatë ditës së sotme, anëtarë të VV’së,dhe këshilltarë të Kryeministrit Kurti kanë komentuar në vazhdimësi mbi vendimin që pritet të marrë institucioni më i lartë i drejtësisë në vend./InLajmi/