Në Dragash është vënë gurthemeli i projektit të infrastrukturës fizike sportive, në të cilin Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit investon 1,6 milion euro.
Në ceremoninë e vënies së gurëthemelit mori pjesë Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi së bashku me Kryetarin e Komunës së Dragashit, Shaban Shabani.
Ministri Gashi është shprehur se Komunën më jugore të Kosovës nuk është lënë anash ngase kjo trevë ka sportistë të talentuar dhe traditë në sport.
“Ka qenë një zotim i yni që qytetarët dhe sportistët e Dragashit t’i bëjmë më infrastrukturë moderne dhe jam shumë i lumtur që po e jetësojmë një projekt shumë kapital”, ka thënë ministri Gashi.
Ministri Gashi ka premtuar se në bashkëpunim me Komunën e Dragashit, projekti do të përfundohet në afat rekord në mënyrë që qytetarët e Dragashit të zhvillojnë aktivitetet e tyre sa më parë.
“Ky projekt që po e fillojmë sot është një prej palestrave më moderne që po ndërtojmë së fundmi në krejt Kosovën. Ka një kosto prej 1.6 milionë euro. Kemi mjete financiare të planifikuara deri në përfundimin e këtij projekti”.
Ndërsa kryetari i Dragashit, Shaban Shabani, ka falënderuar ministrin Kujtim Gashi për realizimin e këtij projekti. Ai ka thënë se ky qytet ka pasur nevojë për realizimin e këtij projekti dhe do të shfrytëzohet që të rinjtë dhe sportdashësit t’i zhvillojnë garat e tyre në këtë objekt./InLajmi/