Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli përmes një postimi në rrjetin social ka reaguar në lidhje me deklaratat e fundit të Albin Kurtit për largimin e taksës 100% ndaj Serbisë.
Ai tha se nuk ka risi nga Albin Kurti, sipas tij “vendimi i tij për taksën dhe reciprocitetin qenka huazuar nga ideja e propozimit tim të janarit të vitit 2019, të cilin, si çdo gjë tjetër, ai e pat refuzuar”.
“Si opozitar, ishte në gjendje ta digjte Kosovën dhe të përdorte dhunë dhe jetë të rinjsh idealistë për të ardhur në pushtet. Sot, kur udhëheq Qeverinë, ideali i tij po shihet se është vetëm mbajtja e pushtetit. Duke u shantazhuar, po e djeg veten më shpejtë sesa që kanë pritur të tjerët”, ka shkruar Veseli.
Postimi i plotë:
Asgjë e re nga Albini! Të paktën, ta respektonte të drejtën e autorit. Sepse, vendimi i tij për taksën dhe reciprocitetin qenka huazuar nga ideja e propozimit tim të janarit të vitit 2019, të cilin, si çdo gjë tjetër, ai e pat refuzuar.
Si opozitar, ishte në gjendje ta digjte Kosovën dhe të përdorte dhunë dhe jetë të rinjsh idealistë për të ardhur në pushtet. Sot, kur udhëheq Qeverinë, ideali i tij po shihet se është vetëm mbajtja e pushtetit. Duke u shantazhuar, po e djeg veten më shpejtë sesa që kanë pritur të tjerët.
E mendonte veten si më të mençurin dhe më të fortin; sikur të ishte vetë Kosova. Po del që është edhe i padijshëm, edhe i dobët, edhe mashtrues, dhe që Kosova në krye me të mund të rrezikohet seriozisht. /InLajmi/




















