Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali ndodhet në Athinë në vizitën e saj të parë zyrtare si ministre ku zhvilloi një takim me homologun e saj grek, Giorgos Gerapetritis në përfundim të të cilit u mbajt edhe një konferencë e përbashkët për shtyp.
Në fjalën e tij, kryediplomati i Greqisë vlerësoi progresin e bërë nga Shqipëria në çeljen e grupkapitujve të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, ndërsa theksoi se Greqia do të vijojë të mbështesë këtë rrugëtim duke mbajtur një qëndrim konstruktiv.
Gerapetritis vlerësoi vëmendjen e shtetit shqiptar në mbrojtje të të drejtave të minoriteteve, që siç tha përbën një përparësi për Greqinë.
“Në kuadrin e Presidencës së Këshillit të Evropës jemi të gatshëm të ndërmarrim nisma duke qenë të bindur se perspektiva evropiane do ndihmojë në kapërcimin e rreziqeve që krijohen nga ato ndërhyrjet e padrejta, nga ringjallja e sterotipave të vjetra të nacionalizimit. Greqia qëndron konseguente në pozicionimin e saj drejt konvergimit të Ballkani Perëndimor në BE në bazë të reformave të kryera. E përshëndesim progresin e Shqipërisë që ka çuar në hapjen e kapitujve të anëtarësimit për të cilat Greqia ka mbajtur qëndrim konstruktiv. Vlerësojmë mbrojtjen e të drejtave të minoritetit grek, që përbën përparësi për ne. Ekzistojnë shanse për zgjerimin e bashkëpunimit tonë në tregti, investime, energji, turizëm, arsim”, tha ministri i Jashtëm grek.




















