Dhuna fizike dhe seksuale ndaj grave dhe vajzave në Shqipëri vazhdon të jetë një problem shqetësues.
Sipas raportit më të fundit të OBSH-së, 1 në 5 gra në vendin tonë kanë përjetuar dhunë fizike dhe/ose seksuale nga partneri i tyre.
Të dhënat tregojnë se 18,4% e grave kanë përjetuar dhunë fizike dhe/ose seksuale nga partneri të paktën një herë gjatë jetës, ndërsa 2,3% raportojnë se kjo dhunë ka ndodhur brenda 12 muajve të fundit.
Ekspertët nënvizojnë se shifrat reale mund të jenë më të larta, pasi shumë raste nuk raportohen për shkak të frikës dhe presionit social.

Fenomeni shtrihet edhe në shkallë globale ku sipas raportit të OBSH-së afro 840 milionë gra në botë, pothuaj 1 në 3, kanë përjetuar dhunë nga partneri intim ose dhunë seksuale nga dikush tjetër gjatë jetës.
Brenda një viti të vetëm, rreth 11% e grave mbi 15 vjeç, ose mbi 300 milionë gra, janë përballur me dhunë fizike ose seksuale nga partneri.
Një tjetër shqetësim është se 1 në 4 gra të moshës 15–49 vjeç, rreth 682 milionë vajza dhe gra, kanë përjetuar dhunë fizike ose seksuale nga partneri të paktën një herë gjatë jetës.
Në 12 muajt e fundit, 316 milionë gra raportojnë dhunë nga partneri ndërsa ekspertët vënë në dukje se dhuna shpesh nis në moshë të hershme, mbi 23% e vajzave 15–19 vjeç kanë përjetuar dhunë nga partneri, ndërsa shifrat rriten me moshën.
Organizatat e të drejtave të grave bëjnë apel për masa urgjente, përfshirë forcimin e mekanizmave të mbrojtjes, rritjen e ndërgjegjësimit dhe sigurimin e shërbimeve të qasshme për viktimat.
Dhuna ndaj grave nuk është një çështje private, por një problem shoqëror që kërkon reagim të menjëhershëm.




















