Shkruan : Blerim Valla
Në sallën koncertale të Shkollës së Muzikës ”Prenk Jakova” në Gjakovë, ishte stafi i mësimdhënësve dhe nxënësve të kësaj shkolle të njohur të muzikës që organizuan koncert koral, në shenjë ndërgjegjësimi, mbështetjeje e solidarizimi me femrat e prekura nga kanceri i gjirit nga komuna e Gjakovës.

Në sallën e mbushur përplot u mbajt një koncert i zgjedhur artistik, si dhe u zhvillua një takim sensibilizues që sollën shumë emocione e mesazhe të fuqishme, por dhe shumë kurajo e dashuri për të gjitha gratë e Gjakovës të mbijetuara apo të prekura nga kanceri i gjirit!

Në programin artistik që mbështeti këtë kauzë madhore me anë të artit e kulturës, morën pjesë : Kori i Shkollës së Mesme të Lartë të Muzikës me dirigjent Kastriot Sada. Dhe Kori i Grave dhe Vajzave”Besa” me dirigjente Klodina Kryeziu Hana. E të cilët kishin përgatitur disa pika interesante muzikore me vepra të autorëve të ndryshëm. Si dhe u luajtën disa pika të baletit intrepretuar nga balerinet Anila Ahmeti e Fatjona Kashnjeti, nën udhëheqjen e mësimdhënëses Ilirjana Memaj.

Më pas u zhvillua një debat i hapur dhe interaktiv mes publikut dhe dr. Ilir Kurtishit, onkolog dhe drejtor i Klinikës së Onkologjisë, në ShSKUK – s. Dhe me znj. Valbona Kastrati, kryetare e Organizatës “Ia Vlen të Jetosh”, debat ky i moderuar nga prof. Migena Arllati.
Publiku pati rastin të dëgjojë mesazhet vetëdijësuese dhe këshillat profesionale të : Dr.Ilirit dhe mesazhet plot emocionue nga përvoja personale e znj. Kastrati si e prekur dhe e mbijetuar nga kanceri i gjirit. Ndërsa mysafirë nderi të tjerë të këtij koncerti, i cili u mbajt për herë të dytë si i këtij lloji dedikues në Gjakovë, ishin femrat gjakovare anëtare të Shoqatës “Ia vlenë të jetosh” me seli në Gjakovë.

Në fund Kastriot Sada drejtor i shkollës së muzikës në Gjakovës dhe njëri nga organizatorët kryesor të kësaj mbrëmjeje artistiko – senzibilizuese shprehu falenderime për dr. Ilir Kurtishin e znj. Valbona Kastrati dhe femrat e organizatës ” Ia vlen të jetosh” si dhe për bashkëpunim Komunën e Gjakovës, Drejtorin e Shëndetësisë të Gjakovës si dhe për pjesëmarrësit e pjesës artistike të kësaj mbrëmjeje.

















