Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka theksuar se bllokimi i Kuvendit do të vë në rrezik organizimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve lokale.Ai për GazetaBlic ka shtuar se, ndonëse komunat e Kosovës kanë krijuar një përvojë pozitive që nga vitit 2000, sfidat financiare janë bërë kërcënim serioz.
“Komunat e Republikës deri më tani, që nga viti 2000 kur janë organizuar për herë të parë zgjedhjet lokale, kanë krijuar një përvojë pozitive sa i përket organizimit të zgjedhjeve. Por, sfidat financiare serioze po rrezikojnë funksionimin dhe zhvillimin lokal”, tha Ibrahimi.Ibrahimi ka bërë me dije se gjatë pesë muajve të parë të këtij viti, komunave u janë marrë mbi 37 milionë euro përmes vendimeve gjyqësore dhe se në vitet e fundit janë humbur më shumë se 130 milionë euro për shkak të kontratave kolektive, të cilat kishin për qëllim projekte kapitale për qytetarët.
“Vetëm gjatë pesë muajve të parë të këtij viti, komunave u janë marrë mbi 37 milionë euro përmes vendimeve gjyqësore, ndërsa gjatë viteve të fundit mbi 130 milionë euro janë humbur për shkak të kontratave kolektive, mjete këto që ishin të dedikuara për projekte kapitale në dobi të qytetarëve. Përveç kësaj, ka pasur ndarje të pabarabarta buxhetore nga ministritë e linjës, ku komunat nuk kanë përfituar në mënyrë të barabartë si dhe ndryshime arbitrare të ligjit për tatimin në pronë, të cilat kanë shkaktuar rënie të theksuar të të hyrave vetanake në nivel komunal”, shtoi ai.Ibrahimi ka paralajmëruar se këto sfida do të vazhdojnë edhe pas zgjedhjeve lokale, pasi mungesa e institucioneve qendrore ka lënë komunat të përballen me pasiguri financiare.
“Këto sfida do të mbesin prezente edhe më tutje për shkak të moskonsituimit të Institucioneve qëndrore dhe si pasojë edhe pas zgjedhjeve lokale, kryetarët e komunave mund të trashëgojnë barrën e një situate të rënduar financiare. Për fat të keq, niveli qendror nuk ka treguar dhe nuk po tregon përkushtim të duhur për adresimin dhe zgjidhjen e këtyre problemeve, duke lënë komunat të përballen të vetme me pasoja që prekin drejtpërdrejt qytetarët”, shton Ibrahimi.Ai ka theksuar se niveli qendror nuk ka treguar përkushtim për të adresuar këto probleme dhe ka apeluar për një partneritet të sinqertë ndërmjet niveleve qendror dhe lokal për zhvillim të qëndrueshëm dhe barabartë.
“Asociacioni i Komunave të Kosovës rithekson nevojën për partneritet të sinqertë ndërmjet nivelit qendror dhe atij lokal, për të garantuar zhvillim të barabartë dhe qëndrueshmëri financiare për të gjitha komunat e vendit”, përfundon Ibrahimi për Gazeta Blic.

















