Kombëtarja shqiptare ndodhet në Letoni, ku nesër më 10 qershor do të luajë ndeshjen e katërt të vlefshme për Grupin K, në kuadër të eliminatoreve të Kupës së Botës 2026.
Kuqezinjtë do të përballen me përfaqësuesen letoneze dhe fitorja mban gjallë shpresat për objektivin madhor: vendi i dytë që të çon në fazën play-off.
Në prag të sfidës, trajneri Sylvinho dhe mesfushori Kristjan Asllani dolën sot në një konferencë për shtyp, ku diskutuan rreth përgatitjeve dhe gjendjes së ekipit.
“Kemi disa alternativa dhe hapësira për të zgjedhur në mbrojtje, mesfushë dhe sulm. Lista e alternativave për sulmin është e gjatë: Muçi, Uzuni, Pajaziti, Berisha, Ramadani, Broja, Hasani, Nedim Bajrami, Hoxha, Daku. Kjo na jep mundësinë të zgjedhim sulmuesin. Do të shohim dhe nesër do të marrim vendimin,” – shtoi tekniku brazilian, duke mos dhënë detaje mbi formacionin apo skemën e mundshme të lojës.
I pyetur për kundërshtarin, Sylvinho vlerësoi fizikisht dhe taktikisht Letoninë:
“Ata kanë një skuadër të fortë, lojtarë të fuqishëm dhe të gjatë fizikisht. Do të vlerësojmë si do të jetë skema, me katër apo tre në mbrojtje. Duam të mbledhim sa më shumë pikë. Nuk mund të them se është ndeshje vendimtare, por është e rëndësishme.”
Tekniku mori përsipër edhe përgjegjësinë për penalltinë e humbur nga Rey Manaj në ndeshjen ndaj Serbisë:
“Manaj është lojtar me eksperiencë, e njoh që nga viti 2014 kur ishte tek Interi. Kam folur me të. Përgjegjësia është e imja. Në stërvitje praktikohen penalltitë nga të gjithë dhe unë vendos kush i gjuan. Në Kombëtare ka presion të madh, sepse nuk ke shumë hapësira. Prandaj duhet të mbledhim sa më shumë pikë.”
Renditja në Grupin K:
Anglia – 9 pikë (3 ndeshje)
Shqipëria – 4 pikë
Letonia – 3 pikë
Serbia – 1 pikë
Andorra – 0 pikë