Me mbarëvajtjen e gjykimit të ish-krerëve të UÇK-së, nuk janë shprehur të kënaqur avokatët e akredituar të Speciales.
Avokati Artan Qerkini thotë për Front Online se s’ka transparencë në proces.
Ai deklaroi se gjykimi po vonohet si shkak i numrit të madh të dëshmitarëve.
“Procesi është i ngadaltë për shkak të numrit të lartë të dëshmitarëve jo për dinamikën e gjykimit. Procesi po vazhdon të jetë jo transparent, nëse shumica e seancave gjyqësore janë seanca private ku publiku nuk ka qasje nuk mund t’ia krijojë një përshtypje se çfarë po ndodh me procesin dhe çfarë dëshmi po japin dëshmitarët”, u shpreh Qerkini.
Me kohëzgjatjen e paraburgimit nuk po pajtohet avokati Qerkini.
Sipas tij, masa ndaj ish-krerëve të UCK-së është dashur të zbutet.
“Kohëzgjatja e paraburgimit është shqetësuese më shumë se 3 vite të pandehurit janë në paraburgim masa nuk është zbutur edhe pse standardet ndërkombëtarë kërkojnë që me kalimin e kohës masa të zbutët deri në një vendim final të gjykatës”, deklaroi Qerkini.
Nuk dihet se sa mund të zgjatë procesi në Hagë, thotë avokati i akredituar nga Specialja.
“Është vështirë të prognozohet se sa mund të zgjasë ky proces, nuk dihet mbrojtja sa dëshmitarë do t’i ftojë pasi prokuroria ta përfundojë rastin e tij”, theksoi Qerkini.