Analisti Mentor Nazarko për qeverinë teknike në Maqedoninë e Veriut me kryeministër Talat Xhaferin.
Nazarko u shpreh se zgjedhja e kryeministrit të parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut nuk ka vetëm karakter simbolik, por edhe karakter përmbajtësor.
Gjithashtu theksoi se shqiptarët do të duhet të jenë bashkë në një koalicion që të kenë fuqi maksimale, shkruan abc news.
“Një arritje që nuk ka karakter vetëm simbolik. Etnia e kryeministrit aktual që është e pazakontë për historinë e Maqedonisë së Veriut të pavarur. Natyrisht ka edhe karakter përmbajtësor. Kjo ngjarje ndodh si kurorëzimi i një procesi në rritje të të drejtave të shqiptare. Pra kurorëzimi i një viti në cilësinë e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Le të shpresojmë që kjo ngjarje të shërbejë për fuqizimin e shqiptarëve. Ky zhvillim që në fakt ndërlidhet me një qeveri teknike. Duhet të pranojmë që kjo ngjarje mund të rrisë BDI në sondazhe, e cila merr vota kryesisht shqiptare, ndërsa VMRO rritet për shkak të këtij zhvillimi. Prodhon pra një efekt paradoksal. Gjithë problemi është si në një peshore, ku pesha ndryshon. Që shqiptarët të kenë fuqi maksimale do të duhet të jenë bashkë në një koalicion, kjo është duke u penguar për shkak të divergjencave. Sa më shumë vota të kenë shqiptarët aq më shumë e kushtëzojnë partnerin maqedonas”, ka thënë ai.