Ministri për Administrimin e Pushtetit Lokal në Republikën e Kosovës, Elbert Krasniqi ka reaguar në lidhje me raportimet e fundit se serbët kanë dorëzuar kërkesë për peticion për shkarkimin e kryetarëve të komunave të veriut, përcjell InLajmi.
Në reagimin e tij Krasniqi thotë se ekziston një procedurë e qartë për inicimin e kërkesave së qytetarëve për largimin e kryetarëve të komunave nga funksioni. Më tutje ai shton se kërkesa duhet nënshkruar nga 20% e qytetarëve me të drejtë vote dhe para fillimit të nënshkrimit duhet njoftuar Kryesuesi i Kuvendit Komunal.
Gjithashtu ministri bën me dije, se ndonëse ekzistojnë raportime në media serbe që një gjë e tillë ka ndodhur, në ministri ende nuk ka mbërritur një njoftim zyrtar në lidhje me këtë iniciativë nga Kryesuesit e Kuvendeve Komunale.
Postimi i tij i plotë:
Udhëzimi Administrativ, përcakton qartë procedurën e inicimit, organizimit dhe dorëzimit të iniciativës së qytetarëve për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni. Secili qytetar apo grup qytetarësh me të drejtë vote në komunën përkatëse ka të drejtë të ndërmarrë iniciativën për largimin e kryetarit të komunës. Kërkesa për largim duhet të nënshkruhet nga të paktën 20% e votuesve me të drejtë vote dhe duhet t’i përmbajë të gjitha elementet dhe të dhënat sipas këtij Udhëzimi Administrativ. Qytetarët e interesuar për inicimin e kësaj procedure, themelojnë grupin nismëtar i cili para se të fillojë mbledhjen e nënshkrimeve duhet të njoftojë Kryesuesin e Kuvendit Komunal i cili më pas njofton MAPL-në dhe KQZ-në.

Jemi në dijeni rreth raportimeve në media se janë mbledhur nënshkrime nga ‘një grup nismëtar’. Megjithatë, ju njoftojmë se në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal nuk kemi pranuar asnjë njoftim zyrtar në lidhje me këtë nismë nga Kryesuesit e Kuvendeve Komunale të Komunave respektive apo antarët e grupit inicues siç parashihet me këtë Udhëzim Administrativ. /InLajmi/